Punëtorët e shëndetshëm janë më produktiv dhe më efikas, prandaj ngritja e rrogës mund të ketë përmirësim pozitiv te punonjësit.
T’i paguash punonjësit me një rrogë më të lartë për ta rritur biznesin tingëllon si kundërintuitive. Në fund të fundit, nëse i paguani punonjësit me më pak para, a nuk do të kishin mbetur më shumë para për biznesin? Përgjigja e parë do të ishte “po” por, nëse analizohet më thellë nuk është pikërisht kështu.
Rrogat e ulëta nuk kursejnë para
Shkaku kryesor i ndërrimit të punonjësve është paga. Nëse punonjësit mendojnë se nuk paguhen sa duhet dhe janë në gjendje të gjejnë punë me pagë më të lartë diku tjetër, ata do të largohen nga vendi aktual i punës. Ndërrimi i punonjësve i kushton kompanive shuma të mëdha parash. Kostoja e zëvendësimit dhe trajnimit të punonjësve të rinj tejkalon shumën e parave “të kursyera” nga dhënia e pagave më të ulëta.
Paga të ulëta, produktivitet i ulët
Ka disa mënyra përmes të cilave pagat e ulëta mund të ndikojnë negativisht në produktivitet. Së pari, punonjësit që paguhen më pak investojnë më pak në punën e tyre dhe në kompani. Së dyti, nëse dhënia e pagave më të ulëta rezulton në largim më të madh të punonjësve, kompania juaj do të ketë vazhdimisht punonjës që janë duke u trajnuar.
Sa më gjatë të jetë një punonjës në një punë, aq më efikas dhe më i ditur do të jetë ai. Ndërimi i shpeshtë mund t'ju pengojë të keni punonjës që e arrijnë atë nivel aftësish në pozitën e tyre. Shto këtu, që një punonjës i cili po e kalon kohën e tij duke kërkuar punë të re nuk do t'i kushtojë aq shumë kohë punës së tij aktuale.
Pagat e larta tërheqin të talentuar
Punonjësit e talentuar e dinë se çfarë vlejnë. Nëse kompania juaj nuk ofron një pagë konkurruese, ju nuk do të jeni në gjendje të tërhiqni talentin e suksesshëm që dëshiron kompania. Nëse kompania juaj nuk është e gatshme t'u ofrojë këtyre kandidatëve atë që vlejnë, atëherë konkurrenca juaj do ta bëjë. Ofrimi i më shumë parave jo vetëm që mund të tërheqë talentin kryesor në kompaninë tuaj, por gjithashtu mund ta bëjë stafin tuaj aktual më produktiv dhe më të përkushtuar ndaj punës së tyre.
Pagat e larta përmirësojnë produktivitetin
Punonjësit nuk duhet të shihen si shpenzim. Në vend të kësaj, ato janë një nga asetet e kompanisë suaj. Punonjësit do të japin energji më të madhë në punën e tyre dhe në kompaninë ku punojnë, nëse ndihen të vlerësuar nga ajo kompani. Paga e lartë është një mënyrë për t'u treguar punonjësve se ata vlerësohen. Kompanitë gjithashtu mund të kërkojnë cilësi më të lartë të punës dhe nivele më të larta të produktivitetit në këmbim të asaj rroge më të lartë.
“Cfarë të japësh do të marrësh”
Paratë shtesë të paguara për punonjësit nuk qëndrojnë përgjithmonë te punonjësit. Këto para, nga ana tjetër, do të shkojnë në dobi të komunitetit në të cilin veproni. Punonjësit që kanë më shumë para do të shpenzojnë më shumë. Bizneset në të cilat ata i shpenzojnë paratë e tyre më pas do të kenë më shumë para, të cilat përfundimisht do të kthehen në më shumë biznes për kompaninë tuaj.
Pagat më të larta përmirësojnë shëndetin e punonjësve
Punonjësit që marrin paga më të ulëta, veçanërisht ata me pagë minimale, luftojnë për ta përballuar jetesën. Kjo mund të ketë efekt negativ në shëndet, pasi nuk do të jenë në gjendje ta përballojnë ushqimin e shëndetshëm dhe me vlera ushqyese. Mund të kenë vështirësi për t’i përballuar shpenzimet për të shkuar te mjeku rregullisht dhe mund të sëmuren më shpesh. Paga më e ulët gjithashtu shkakton më shumë stres, i cili mund të ndikojë negativisht si në shëndet ashtu edhe në punë. Punonjësit e shëndetshëm janë punonjës më produktiv dhe më efikas, kështu që, investimi në një pagë më të lartë mund të ketë përmirësime pozitive në jetën e punonjësve që nga ana tjetër e përmirësojnë cilësinë e tyre të punës.