Tashmë Kosova ka një platformë me anë të së cilës do të mund të shikohet paga mesatare, në secilën prej pozitave në nivel vendi. Përderisa në vendet e tjera çdo kandidat përpara se të aplikojë për ndonjë vend pune e ka të qartë se sa është mesatarisht paga për atë pozitë, në Kosovë kandidatët nuk kanë pasur pothuajse asnjë ide për të, e rrjedhimisht ata janë pajtuar për çdo lloj page që u është ofruar.
Arion Rizaj, CEO i dy kompanive të njohura në Kosovë “HumanPower” dhe “KosovaJob”, thotë që ideja për hapjen e kësaj platforme ka ardhur si përgjigje ndaj pyetjes më të shpeshtë gjatë intervistave të punës në lidhje me pagën.
Por si funksionin “Rroga.com” dhe si mund të gjenden rezultatet e kërkuara? Arioni thotë që kjo është mjaft e thjeshtë. Mjafton vetëm të plotësohen detajet për pozitën e personit dhe menjëherë do të dalin rezultatet e kërkuara.
“Aty do shikoni nëse paga juaj është nën apo mbi mesatare në krahasim me kolegët tuaj të së njëjtës pozitë”, shprehet ai.
Duke qenë që është diçka e re, mund edhe të ketë dilema në lidhje me saktësinë dhe mënyrën e mbledhjes së të dhënave, por Arioni thotë që është menduar çdo detaj në lidhje me këtë. Madje, ai kërkon nga punonjësit që të mos ngurrojnë që t’i plotësojnë të dhënat për pozitat e tyre dhe ka një arsye për këtë.
“Sa më shumë që plotësohet nga punëtorët e pozitës së njëjtë të punës, aq më e saktë është mesatarja. Gjithashtu do mbikqyret nga stafi jonë nëse mund të ketë ndonjë shifër jashtë normalës, për shembull nëse dikush jep shifër prej 50 mijë eurosh, në mënyrë që të mos prishet mesatarja”, përfundon Arioni.
E Zanë Havolli, nga kompania e rekrutimit HumanPower, thotë që ka qenë e vështirë t’i këshillonte kandidatët ta shikonin pagën mesatare për pozitën e tyre në Kosovë, sepse nuk kishte ende ndonjë mundësi që ata ta bënin këtë.
Një risi e tillë është mirëpritur edhe nga Kaltrina Jashari, studente e nivelit master në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”. Ajo thotë që është shumë e rëndësishme, sidomos për studentët dhe të sapo diplomuarit të cilët ende nuk janë përballur me tregun e punës.
“Platforma e krijuar mendoj se është më se e nevojshme, për shkak se gjithmonë është dilema sesa mund të jetë paga e duhur për ne, apo si duhet ta kalkulojmë atë. Përmes kësaj platforme ne mund të gjejmë përgjigjen e njërës ndër pyetjeve më të shpeshta në intervistat e punës. Sidomos, për studentët dhe të posadiplomuarit, të cilët nuk kanë njohuri për pagesat që bëhen për ato profesione që ata i studiojnë, ose i kanë studiuar është shumë e nevojshme”, thotë Kaltrina Jashari.